Putin përmend edhe Kosovën pasi Parlamenti i dha leje për futjen e ushtarëve në Ukrainë

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur pavarësinë e dy rajoneve brenda territorit të Ukrainës, Donetskut dhe Luhanskut, ka nxitur reagime të mëdha të fuqive perëndimore të cilat veçse kanë nisur imponimin e sanksioneve ndaj Moskës.

Për këtë veprim, mbrëmë Këshilli i Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka mbajtur edhe një mbledhje urgjente, ku shtetet janë shprehur kundër veprimeve të Putin.

Por, si duket presidentit rus nuk i kanë lënë përshtypje kundërshtimet e shteteve perëndimore.

Në një konferencë për media, Putin sot ka deklaruar se autoritetet ukrainase ishin ato që kanë dështuar për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit dhe për t’iu përmbajtur marrëveshjes së Minskut që u nënshkrua në vitin 2015.

Ai ka thënë se Ukraina zgjodhi që këtë çështje ta zgjidhte me mjete ushtarake.

Në fjalën e tij, Putin ka përmendur edhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke ngritur paralele me Krimenë dhe duke kërkuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj.

Ai ka pyetur pse rasti i Krimesë në Ukrainë është ndryshe nga ai i Kosovës.

“Pse ky vullnet i popullit po shkon më keq se ajo që ndodhi në Kosovë? Nuk është! Vetëm se në Kosovë vendimi është marrë nga parlamenti dhe në Krime është marrë përmes një referendumi kombëtar”, ka thënë Putin.

Kujtojmë se Britania e Madhe, Gjermania e SHBA kanë paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, ndërsa deri më tani veçse janë prishur disa nga marrëveshjet ekonomike e politike që këto shtete kishin me Rusinë.

You may also like...