Lufta në Ukrainë/ Njeriu i Putinit në Beograd, ndizet alarmi për Kosovën

Shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev gjatë kësaj jave do ta vizitoj kryeqytetin e Serbisë, Beogradin

Kjo vizitë sipas analistit Agon Maliqi është presion për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon dhe mundësi për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës.

“Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të Putinit, këtë javë vjen në Beograd. Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjës, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës”, ka shkruar Maliqi.

Se ky duhet të jetë edhe një alarm për Kosovën, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, sipas të cilit, prezenca ruse në Ballkan vazhdon të jetë e madhe.

Sipas tij, duke parë zhvillimet në shtetet e Ballkanit, shërbimet ruse më shumë se kurrë kanë rritur aktivitetin e tyre në Ballkan.

Nëse merret për bazë fakti që kemi një destabilizim në aspektin politik në Bosnje me Republike Serbe , në Mal të Zi me një qeveri të pakicës dhe shtimit të presionit të subjekteve pro Serbe/Ruse , një Maqedoni e Veriut cila ka një pengese quajtur Bullgari në rrugëtimin e saj drejt BE-se dhe në fund procesi ende i pa përfunduar ri raporteve shtet me shtet të Kosovës me Serbin len hapësirë që probabiliteti të jete i lartë të aktiviteteve të shërbimeve informative të Rusisë në hapësirën e Ballkanit duke shfrytëzuar infrastrukturën e shërbimit serb”, shprehet Shala.

Më tej, ai deklaron se kriza e Ukrainës, padyshim që ndikon edhe në zhvillimet në Kosovë dhe vendet e rajonit.

“Institucionet e Kosovës ato politike kanë ngritur shqetësimin e tyre në arenën ndërkombëtare sa i përket interferimit të krizës se Ukrainës në nivelin e sigurisë në nivel rajonit, me theks të veçantë të Kosovës në procesin e dialogut”, nënvizon Shala

You may also like...