Putini synon fitoren e plotë deri më 2 mars, thotë ish-zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë

Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Andrei Fedorov, ka thënë se presidenti Vladimir Putin synon një fitore të plotë deri më 2 mars.

Duke folur për Start Here të Al Jazeera, Fedorov tha se “çdo gjë do të varet në dy ditët e ardhshme, sepse, sipas njohurive të mia, Putin urdhëron operacionin e plotë ushtarak me një fitore deri më 2 mars”.

Megjithatë, Fedorov shtoi se Moska u befasua nga rezistenca e ashpër e Ukrainës dhe nga vendimi i shteteve evropiane – të cilat janë kryesisht të varura nga gazi rus – për të vendosur sanksione të ashpra.

“[Këto masa] kanë shkaktuar shumë probleme këtu tani”, citohet të ketë thënë ai.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, për herë të parë, ministria ruse e mbrojtjes ka pranuar se kanë viktima në Ukrainë, por nuk ka dhënë shifra.

“Ka pasur të vrarë dhe të plagosur në mesin e ushtrisë ruse gjatë rrjedhës së operacionit ushtarak special”, tha ministria e mbrojtjes në Moskë në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve TASS, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, siç pretendohet aty, “humbjet e pësuar nga forcat e armatosura ruse janë disa herë më pak se numri i nacionalistëve të shfarosur”.

Agresioni rus erdhi disa ditë më parë, pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dekretin ku njeh shtete dy rajonet separatiste, ndërsa disa orë pas këtij veprimi që u dënua ashpër nga Perëndimi, u dha urdhri edhe për operacionet ushtarake në Ukrainë.

You may also like...