Putin vendos forcat bërthamore në gatishmëri të lartë, duke përshkallëzuar tensionet

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve Lindje-Perëndim lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, presidenti Vladimir Putin urdhëroi forcat bërthamore ruse të vihen në gatishmëri të lartë.
Shpallja u bë nga Putini të dielën, në përgjigje të atyre që ai i quajti “deklarata agresive” nga fuqitë kryesore të NATO-s.

Putin, në dhënien e direktivës së alarmit bërthamor, citoi jo vetëm deklaratat e anëtarëve të NATO-s – të cilët kanë nxituar të përforcojnë anëtarët e aleancës ushtarake në Evropën Lindore – por edhe sanksionet e rënda financiare të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë, duke përfshirë në sanksione edhe vetë Putinin.

Duke folur në një takim me zyrtarët e tij të lartë, Putin i tha ministrit të tij të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që të vendosin forcat bërthamore në një “regjim të veçantë të detyrës luftarake”.

“Vendet perëndimore jo vetëm që po ndërmarrin veprime jomiqësore kundër vendit tonë në sferën ekonomike, por zyrtarë të lartë nga vendet kryesorë të NATO-s bënë deklarata agresive në lidhje me vendin tonë,” tha Putin në TV, citon noa.al, agjencinë e lajmeve AP.

Direktiva për vendosjen e armëve bërthamore të Rusisë në gjendje gatishmërie nr 1 gati për lëshim, ngjalli frikën se kriza mund të precipitojë në luftë bërthamore. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm me urdhër, por edhe nga gabimi njerëzor dhe/ose projektimi e programimi që mund të mos funksionojë siç duhet.

Kuptimi praktik i urdhrit të Putinit nuk ishte menjëherë i qartë. Ambasada ruse në Tiranë, tha: “Vladimir Putin urdhëroi sjelljen e forcave të parandalimit strategjik (strategic deterrence force) të Ministrisë së Mbrojtjes në regjim të veçantë shërbimi”.

Ndonëse informacioni në dukje duket si procedurë rutinë, në të vërtetë u kuptua se bëhet fjalë për aktivizim dhe mbajtje në gatishmëri të armëve bërthamore.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë forca bërthamore me bazë tokësore. Kanë dhe nëndetëse në gatishmëri dhe të përgatitura për luftim në çdo kohë.

Por bombarduesit me aftësi bërthamore dhe avionë të tjerë, zyrtarisht thuhet se nuk ka.

Nëse Putini po armatos ose po rrit gatishmërinë luftarake bërthamore të bombarduesve të tij, ose nëse po urdhëron më shumë nëndetëse me raketa balistike në det, atëherë Shtetet e Bashkuara mund të ndjehen të detyruara të përgjigjen në të njëjtën mënyrë, tha Hans Kristensen, një analist bërthamor në Federatën e Shkencëtarët amerikanë. Kjo do të shënonte një përshkallëzim shqetësues, tha ai.

Putini nuk i ka bërë të ditur planet e tij përfundimtare, por zyrtarët perëndimorë besojnë se ai është i vendosur të rrëzojë qeverinë e Ukrainës dhe ta zëvendësojë atë me një regjim të tijin, duke ringjallur ndikimin e Moskës në epokën e Luftës së Ftohtë.

Mes tensioneve në rritje, Ukraina njoftoi se një delegacion nga vendi kishte rënë dakord të takohej me zyrtarët rusë për bisedime.

You may also like...