Paralajmërohet se kosovarëve mund t’u lejohet të shkojnë të luftojnë në Ukrainë

Ushtruesja e detyrës së shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se nesër në seancën e Kuvendit do të diskutohet edhe për lejimin e shkuarjes së kosovarëve në luftën e Ukrainës.

Kosova ka një ligj që ndalon shkuarjen e qytetarëve të saj në luftëra të huaja. Mirëpo, Kusari Lila thotë se rreshtimi i të gjithë spektrit perëndimorë në anën e Ukrainës ka bërë që të mendohet një përjashtim.

Ajo shton se kjo do të mendohet vetëm për ata qytetarë që nuk janë pjesë e FSK-së dhe dëshirojnë të inkuadrohen në luftë.

“Ne synojmë anëtarësimin në NATO dhe inkuadrimin në luftëra jashtë vendit. Tashmë njësi të specializuara britanike dhe amerikane janë atje. Kosova ka shpallur interesin të jetë pjesë e aksioneve të NATO-s. Për shkuarjen e njerëzve atje do ta diskutojmë brenda orëve të ardhshme, dmth na kanë mbetur edhe pak orë deri në mbajtjen e seancës në mënyrë që të shkohet në luftën e Ukrainës. Normalisht kush ka interesim të inkuadrohet në luftë, përvec ushtarëve të FSK-së, që të shkojnë”, tha ajo në emisionin dPt te Fidani në T7.

Tutje ajo shtoi se Kosova ka shprehur gatishmëri të ndihmojë me menaxhimin e refugjatëve.

“Kemi folur edhe dërgimin e njësiteve emergjente apo ato të traumes për ato vende ku ka shumë refugjatë. Edhe tek ato vende që nuk na kanë njohur si Rumania dhe Sllovakia e ku ka refugjatë. Kemi shfaqur gatishmërinë dhe vullnetin tonë në situatë të njëjtë të jemi edhe ne”, shtoi ajo.

SHPËRNDAJE

You may also like...