Krisen marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë/ Zyrtarja e lartë ruse akuzon ashpër politikanët në Athinë, vjen reagimi i ministrit grek

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë janë në pikën kritike pasi vendi fqinj dënoi pushtimin e Ukrainës dhe iu bashkua sanksioneve të Perëndimit ndaj Kremlinit.

Në një deklaratë për media ditën e sotme, zëdhënësja e Ministrisë të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka akuzuar ashpër politikën në Greqi për nisjen e një fushate propagande kundër Kremlinit.

“I kushtuam vëmendje fushatës së paprecedentë të nisur në Greqi për të diskredituar politikën e Rusisë. Zyrtarët e lartë në Athinë i lejojnë vetes të formulojnë akuza të shpifura kundër vendit tonë dhe udhëheqjes. Hipokritët flasin për një “sulm të paprovuar” kundër Ukrainës, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore “pushtim masiv” etj”, thuhet në deklaratën e ashpër të Zakharovës drejtuar Athinës zyrtare.

Kujtojmë se Greqia ishte kundër bombardimeve të NATO-s në Serbi, dhe sot nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa lidhjet me Rusinë për vite të tëra kanë qenë pozitive, e fryma pro-ruse dallohet te një pjesë të konsiderueshme të popullit grek.

Zëdhënësja ruse thotë ndër të tjera se vendimet e politikanëve grekë në këtë kohë janë të gabuara, dhe se “lidhjet e përjetshme që bashkojnë popujt e Rusisë dhe Greqisë, do t’i rezistojnë këtyre sprovave”.

“Koha do të vendosë gjithçka në vendin e vet, do të tregojë se kush kishte të drejtë dhe kush – në momentin kritik – tregoi mungesë mprehtësie, bëri zgjedhjen e gabuar. Ne besojmë se lidhjet e përjetshme që bashkojnë popujt e Rusisë dhe Greqisë do t’i rezistojnë edhe këtyre sprovave”, shprehet ajo.
Zakarova i kujton politikanëve grekë “bombardimin e Jugosllavisë” dhe disa luftëra të tjera të SHBA në botë, duke i akuzuar se askush s’ka kërkuar përgjegjës për vuajtjet popujve të këtyre vendeve.

“Kujtojmë se përpjekjet, para së gjithash, nga SHBA dhe satelitët e saj, luftërat dhe konfliktet kanë tronditur botën për dekadat e fundit – bombardimi i Jugosllavisë nga NATO në 1999, operacionet në Irak, Siri, Libi, Afganistan Askush nuk ka pretenduar përgjegjësi për sakrificat e mëdha dhe vuajtjet e popujve të këtyre vendeve”, ka deklaruar Zakharova.

Por deklaratës së zëdhënëses së politikës së jashtme të Kremlinit i është përgjigjur ministri grek Mbrojtjes Civile.

“Nuk është Greqia ajo që shpif për Rusinë, por veprimet e udhëheqjes së saj”, tha ministri grek Takis Theodorikakos duke shtuar se “Greqia është një vend i lirë dhe secili mund të shohë çfarë të dojë”.

“Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe po shkakton qindra të vdekur çdo ditë”, tha Theodorikakos duke folur në lajmet e mbrëmjes në televizionin Mega, ndërsa kujtoi se gjatë kësaj lufte mes të vdekurve ka edhe emigrantë grekë, raporton neësbomb.al.

I pyetur se si do të reagonte Greqia ndaj kritikave të Rusisë ndaj qëndrimit grek, Takis Theodorikakos tha se Greqia është anëtare e BE-së dhe NATO-s. “Ne e kemi dënuar pushtimin rus dhe e mbështesim Ukrainën me akte solidariteti sepse është përballur me një sulm të paprovokuar”, tha ministri grek i Mbrojtjes Civile.

You may also like...