“Vajzën e rrita vetë, e ëma e braktisi 22 muajshe” Lotët e një babai të sëmurë, lutja e tij shkon për të bijën

Me siguri Margarita në memorjen e saj i ka të skalitura rrugët që ka përshkruar që në vegjëli. Mbase nuk e mban mend sesa herë i është dashur të udhëtojë nga Delvina në Sarandë me autobus, por përherë ka qenë e sigurt. Në timon ka qenë gjithmonë ai… babai.
53 vjeçari prej një jete ka qenë shofer autobusi. Një njeri i respektuar në të gjithë Delvinën. Por kohët e fundit, një sëmundje ia ka marrë mundësinë për të punuar. E vetmja rrugë që mund të bëjë tashmë, është deri tek porta e shtëpisë, pasi krizat e rrëzojnë në tokë.

Lindoni e ka rritur i vetëm vajzën, Margaritën. Ajo është drita e tij. Arsyeja se përse ai mundohet të luftojë çdo ditë, çdo orë e minutë me fatin e tij të keq.

“E kam rritur me shumë halle time bijë… nuk është e lehtë që një mashkull të rrisë një fëmijë. Qe 22 muajshe kur e ka lënë e ëma. Nuk u bë më e gjallë.

Unë vetë kam punuar si shofer. E mbaja në vend të parë në autobus, i laja e ndërroja bebelinot. Përpara Margaritës nuk dua njeri në botë. Nuk më ndan gjë, përveç vdekjes… është trimëresha e babait kjo vajzë. Më ndihmon, më ushqen.”-rrëfen mes lotëve 53 vjeçari.

Lindoni mësoi pak kohë më parë se një sëmundje e rëndë dhe degjenerative e ka prekur. Një lajm i hidhur për një baba që sakrifikoi shumë. Por përtej peshës që sa vjen e bëhet më e madhe, Lindoni flet vetëm për të bijën. I lutet Zotit, vetëm për të bijën.

“E futa në halle vajzën, e torturova, e mundoj shumë. Fati i keq i imi. Në momentin që më thanë mjekët ke Parkinson,… si mund të ndihesh mirë, kur ke një sëmundje që nuk je më në gjendje për asnjë gjë. Një sëmundje e poshtër, sepse nuk je as për veten tënde. Bie në shesh, rrokullisem e dua 7-8 minuta të çohem nga toka

Duket sikur më gërryen mishi. Është një sëmundje që nuk kurohet, thjesht me qetësues… shpresoj që sëmundja të mos përparojë, të paktën të më lërë në këtë fazë. Të rritet dhe vajza, sa të vejë në moshë. Unë frikën e Margaritës kam, se veten nuk e llogaris fare. Por kjo është një gjë që se ndan dot njeriu, vetëm Perëndia, Allahu, ai ma ndan. Unë i lutem të më lërë gjallë.”-tregoi 53 vjeçari për “Shqiptarët për Shqiptarët”.
Shtëpia e Lindonit po ashtu, është në gjendje të keqe.

“Edhe kjo shtëpia ma bëri të keqen. Çfarë bie jashtë, bie brenda. Divanët janë konsumuar, u kanë dalë dërrasat. Aty nuk fle dot, më janë copëtuar eshtrat nga këto divane. Edhe tavani na ka rënë.”
Lindoni ka vetëm një lutje.

“Unë nuk doja t’i hyja në hak asnjë shqiptari, sepse ka njerëz shumë fukarenj. Kurrën e kurrës nuk dëshiroja të isha pjesë, por thjesht dua të mos na zërë tavani brenda.”

You may also like...